Raketat ruse godasin një klinikë mjekësore në Ukrainë
Hanife Osmani / RTK
Të paktën një person ka vdekur dhe mbi 20 të tjerë janë plagosur, nga sulmet raketore ruse në një klinikë mjekësore në Dnipro, të Ukrainës lindore.
Sulmi u konfirmua nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili tha se ekipet emergjente po punonin pandalë për të shpëtuar të tjerë nga spitali i goditur.
Serhiy Lysak, guvernatori rajonal i Dnipros deklaroi për medie se qyteti u godit masivisht me raketa dhe dronë, të plagosur edhe dy fëmijë të moshës tre dhe gjashtë vjeç. Lysak shtoi se ky është konfirmim i radhës së Moska është në gjendje të luftojë kundër çdo qenie të pafajshme njerëzore.
Nga luftimet në terren, autoritetet ukrainase bën të ditur se gjatë natës kanë kanë rrëzuar 17 raketa dhe 31 dronë të lëshuar nga Kremlini.
Rusia ka intensifikuar sulmet e saj ndaj Ukrainës javët e fundit, duke synuar objektet e saj të infrastrukturës përpara një kundërofensive të pritshme ukrainase.