Suedia stacionon trupa të NATO-s në territorin e saj
Rajoni dhe Bota

Suedia stacionon trupa të NATO-s në territorin e saj

RTSh

Suedia do të lejojë NATO-n të stacionojë trupa në territorin e saj para se t’i bashkohet Aleancës ushtarake Perëndimore.

“Qeveria ka vendosur që forcat e armatosura suedeze mund të ndërmarrin përgatitje me NATO-n dhe vendet e NATO-s për të mundësuar operacione të përbashkëta në të ardhmen”, u shprehën kryeministri i vendit Ulff Kristersson, dhe ministri i mbrojtjes Pål Jonson.

Sipas tyre, përgatitjet në fjalë mund të konsistojnë në stacionimin e përkohshëm të pajisjeve dhe personelit të huaj në territorin suedez.

“Ky vendim ndërkohë i dërgon një sinjal të qartë Rusisë dhe fuqizon mbrojtjen e Suedisë”, theksuan dy zyrtarët e lartë. 

Vitin e shkuar, Suedia aplikoi për t’u anëtarësuar në organizatën e traktatit të veriut  si pasojë e pushtimit rus  të Ukrainës. Por kundërshtia nga Turqia dhe Hungaria kanë vonuar procesin dhe Suedia tashmë shpreson t’i bashkohet aleancës në samitin që do të mbahet në Lituani, muajin e ardhshëm. Në atë samit pritet të marrë pjesë edhe presidenti ukrainas Volodimir Zelensky.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota