Vazhdojnë protestat në Francë, qindra protestues të arrestuar
Flutura Bekqeli/RTK
Qindra persona janë arrestuar, ndërsa përleshjet mes policisë dhe protestuesve në Francë kanë vazhduar për natën e tretë.
17-vjeçari i quajtur Nahel M, u qëllua nga policia pasi refuzoi të ndalej nga policia e trafikut. Zemërimi për vrasjen e tij ka ndezur dhunë në të gjithë vendin. Në natën e tretë të trazirave, 667 persona u arrestuan, thonë zyrtarët francezë. Në Paris, dyqanet u plaçkitën dhe makinat u dogjën gjatë natës, pavarësisht nga prania e madhe e policisë. Në të gjithë Francën u vendosën 40,000 policë. Në disa periferi ishte vendosur orë policore gjatë natës.
Oficeri që qëlloi Nahelin i ka kërkuar falje familjes, derisa ai është akuzuar për vrasje vullnetare. Nëna e Nahelit më herët tha se ajo nuk fajësoi të gjithë forcën e policisë, vetëm oficerin që qëlloi plumbin vdekjeprurës. "Ai pa fytyrën e një arabi, të një fëmije të vogël, donte t'i merrte jetën," tha ajo.
Vdekja e adoleshentit ka ringjallur ankesat për policinë dhe profilizimin racor në periferi të Francës.
Ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin tha se 170 oficerë u plagosën vetëm në përleshjet e së mërkurës mbrëma dhe 180 persona u arrestuan.
Oficerët u plagosën gjithashtu pasditen e së enjtes, gjatë dhunës në Nanterre që pasoi një marshim kryesisht paqësor duke bërë thirrje për drejtësi. Në të morën pjesë më shumë se 6000 njerëz.
Kryeministrja Élisabeth Borne tha se e kuptonte shpërthimin e emocioneve pas vdekjes së 17-vjeçares, por dënoi trazirat.
Vdekja e adoleshentit ka ndezur një bisedë më të gjerë për fuqinë e policisë dhe marrëdhëniet midis autoriteteve dhe njerëzve nga periferitë e Francës, të cilët ndihen të veçuar nga qendrat e qyteteve të vendit.























