Protestat në Francë: 45,000 policë të angazhuar për t`i shuar trazirat
BKT
Rajoni dhe Bota

Protestat në Francë: 45,000 policë të angazhuar për t`i shuar trazirat

B. H. | RTKlive

Franca vendosi 45,000 oficerë policie dhe disa automjete të blinduara në rrugë të shtunën, ndërsa trazirat tronditën qytetet franceze në natën e katërt radhazi pas vrasjes së një adoleshenti nga një oficer policie gjatë një ndalese trafiku.

Ndërtesat dhe automjetet janë djegur e dyqanet janë plaçkitur, teksa dhuna e ka zhytur presidentin Emmanuel Macron në krizën më të rëndë që kur është në krye të shtetit që nga protestat e Jelekëve të Verdhë që filluan në 2018, raporton Reuters.

Trazirat janë përhapur në mbarë vendin, duke përfshirë qytete si Marseja, Lioni, Tuluza, Strasburgu dhe Lilli, si dhe Parisi, ku Nahel M., një 17-vjeçar me origjinë algjeriane dhe marokene, u qëllua të martën për vdekje në periferi të Nanterës.

Vdekja e tij, e kapur në video, ka ringjallur ankesat e gjata nga komunitetet urbane të varfra dhe të përziera racialisht për dhunën policore dhe racizmin.

Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin tha herët të shtunën se 270 persona ishin arrestuar të premten mbrëma, duke e çuar totalin në më shumë se 1,100 që nga fillimi i trazirave.

Arrestimet e së premtes mbrëma përfshinin 80 persona në qytetin jugor të Marsejës, qyteti i dytë më i madh i Francës dhe vendbanim i shumë njerëzve me origjinë afrikano-veriore.

Imazhet e mediave sociale treguan një shpërthim që tronditi zonën e vjetër të portit të Marsejës. Autoritetet e qytetit thanë se po hetonin shkakun, por nuk besonin se kishte viktima.

Rebelët në qendër të Marsejës plaçkitën një dyqan armësh dhe vodhën disa pushkë gjuetie, por jo municion, tha policia.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota