Dy gjigantët londinezë interesohen për yllin e Man Cityt
BKT
Sport

Dy gjigantët londinezë interesohen për yllin e Man Cityt

F.Bytyqi/RTKLive

Dy klubet e mëdha londineze Arsenal dhe Tottenham kanë shprehur interesim për mbrojtësin e Manchester Cityt, Aymeric Laporte.

Spanjolli pritet të largohet nga “Etihad Stadium” pasi ka humbur vendin në 11-shen bazë, derisa City është afër nënshkrimit edhe me yllin e RB Leipzigut Josko Gvardiol.

Siç raporton “Mundo Deportivo”, Laporte pritet të largohet nga “Qytetarët” dhe pritej një rikthim te Spanja.

Mirëpo, situata ka ndryshuar në këto ditët e fundit me “Mundo Deportivo” që thotë se Laporte ende mund të vazhdojë në Premierligë, veçse jo te kampioni.

Trajneri Mikel Arteta ka shprehur interesim për një ribashkim me Laporten, me të cilin ka punuar te City kur ishte një asistent.

Arsenal ende s’ka hyrë fuqishëm në garë meqenëse po tenton t’i kompletojë nënshkrimet me Declan Rice dhe Jurrien Timber, por në garë ndodhet edhe Tottenhami.

Klubi nga Londra ka humbur Clement Lenglet që u rikthye te Barcelona andaj është duke provuar ta bind Laporten.

Kuptohet, “Topçinjtë” kanë avantazhin në rast të një “beteje” mes klubeve shkaku i pjesëmarrjes në Ligën e Kampionëve, meqenëse Spurs nuk do të paraqiten edicionin tjetër në garat evropiane.