Protesta e gjashtë masive në Novi Sad kundër regjimit autoritar të Vuçiqit
B. H. | RTKlive
Protesta e gjashtë “Serbia kundër dhunës” u mbajt të premten në Novi Sad. Turma e qytetarëve e bllokoi trafikun në urën e Varadinit në këtë qytet për dy orë. Në urë është vendosur edhe një pankartë me mesazhin: “Përmbushni kërkesat”, teksa u dëgjuan edhe thirrje kundër “regjimit autoritar” të Aleksandar Vuçiqit dhe kundër Aleksandër Vulinit, kreut të Agjencisë së Informacionit dhe Sigurisë.
Protesta filloi para ndërtesës së Qeverisë Krahinor të Vojvodinës, prej nga të mbledhurit filluan të ecin drejt urës. Ashtu si edhe në tubimin e kaluar në këtë qytet, kur qytetarët bllokuan autostradën E75, nuk kishte folës zyrtarë, por për dallim nga tubimet e mëparshme, pjesëmarrësit kishin bylbyla fishkëllues.
Protestuesit mbanin në duar pankarta me mesazhet “Gjithçka duhet të ndalet” dhe “Nuk mund të arrestosh ndryshimin”.
Njëra nga pjesëmarrëset në protestë, Jelena Mojiq, tha për REL (redaksia në gjuhën serbe) se nuk mendon se qeveria do t'i përmbushë kërkesat e demonstruesve.
Megjithatë, ajo ka theksuar se shpreson që të ketë ndryshime.
“Mendoj se është mirë që jemi kaq shumë bashkëqytetarë që mendojmë njëjtë dhe me siguri se diçka do të ndryshojë për të mirë”, tha Mojiq.
Në anën tjetër, Veljko nga Novi Sadi tha se nuk e sheh të ardhme të qartë për protestën.
Mina Andjeliq, një grua e re nga Novi Sadi, tha se ajo vendosi t'i bashkohet protestave sepse dëshiron të jetojë në një "vend më të mirë".
“Nuk e di sa i dëgjojnë politikanët kërkesat e të rinjve, por dhuna e cila është e pranishme rreth nesh është bërë e padurueshme, ndaj do të jem këtu sa herë të mundem”, theksoi ajo.
Në këtë tubim nuk kishte simbole partiake, ndërsa disa pjesëmarrës mbanin flamurin e Serbisë.
Ky është tubimi i gjashtë në Novi Sad, pas dy vrasjeve masive në fillim të majit në Serbi. Protesta përfundoi pa incidente.
Demonstruesit prej dy muajsh kërkojnë largimin e anëtarëve të Këshillit të Trupit Rregullativ për Media Elektronike (REM) dhe menaxhmentit të Radio Televizionit të Serbisë. Ata gjithashtu kërkojnë mbylljen e tabloideve që propagandojnë dhunën dhe shkelin kodin gazetaresk, konfiskimin e frekuencave kombëtare nga stacionet televizive 'Pink' dhe 'Happy' për promovimin e dhunës, si dhe shkarkimin e ministres së Punëve të Brendshme, Bratislava Gashiq dhe shefit të Agjencisë së Informacionit dhe Sigurisë, Aleksandar Vulin.























