Rexhepi: Historia e cila nuk kujtohet ka rrezik të përsëritet
Medina Pasoma / RTKlive
Zëvendëskryeministrja e Kosovës për Çështje të Pakicave dhe Drejtave të Njeriut, Emilja Rexhepi ka qenë e ftuar në programin e mëngjesit në RTK, “Mirëmëngjesi Kosovë”, për të folur për 28 vjetorin e masakrës së Srebrenicës.
Ajo ka thënë se Kosova bashkëndjen me Bosnjen, për shkak se edhe këtu s’ka javë që nuk përkujtohet ndonjë masakër.
“Vrasësit e tillë që s’kanë as njerëzi në vete, dhe që jetojnë në liri unë s’e di si mund të jetojnë sepse edhe ata kanë fëmijë, të dashur. Nuk e di çfarë shembulli jepin për familjet e tyre me të kaluarën që bartin në supet e veta. Vetë fakti që janë në liri, flet se liria akoma s’ka prekur zenitin e saj dhe që viktimat janë vrarë, masakruar, prerë meritojnë në mos asgjë tjetër, të flitet për ta, të kujtohen”, ka thënë Rexhepi.
Tutje, për masakrën e cila shënon 8 mijë boshnjakë të vrarë e 12 mijë të zhdukur, ka thënë se historia e cila nuk kujtohet ka rrezik të përsëritet.
“Është edhe më e dhimbshme që ndërkombëtarët kanë ditur për këtë masakër. Zona e Srebrenicës ka qenë zonë e mbrojtur nga ushtarët holandezë të KFOR-it, ka qenë zonë e mbrojtur nga OKB-ja. Është dukur se është e pamundur dikush të hyj aty, në fund të ditës të shohësh se Radko Mladjic me ushtrinë e vet e rrethon aty dhe brenda dy tre dite e merr gjithë Srebrenicën dhe zhduk 8 mijë vet, kjo ka qenë suprizë për të gjithë”, është shprehur Rexhepi.
Ndryshe më 11 korrik, në përvjetorin e 28-të të gjenocidit në Srebrenicë, në Prishtinë do të ndizen qirinj për nder të kujtimit të të gjitha viktimave të gjenocidit të Srebrenicës.























