Biden arrin në Evropë
BKT
Rajoni dhe Bota

Biden arrin në Evropë

Dardan Ramabaja / RTK

Në samitin e NATO-s që do të mbahet në Lituani, pritet që presidenti Biden dhe aleatët të ofrojnë mbështetje për Ukrainën, por jo anëtarësimin në Aleancë.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka arritur në Britani të dielën, duke nisur një udhëtim në tri vende, i cili do të dominohet nga një samit i NATO-s në Lituani që synon të tregojë solidaritet me Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë, duke mos pranuar ende Kievin si një anëtar të aleancës.

Por sfidat e krijimit të solidaritetit mes 31 vendeve anëtare të NATO-s u theksuan në një thirrje mes Bidenit dhe presidentit turk Tajip Erdogan përpara samitit të aleancës në Lituani këtë javë, me ofertën e Suedisë për anëtarësim në aleancën perëndimore që mbetet një pikë e vazhdueshme e mosmarrëveshjeve.

Biden zbarkoi në Londër, ku do të takojë kryeministrin britanik Rishi Sunak në 10 Downing Street të hënën. Më vonë ai do të udhëtojë në Kështjellën Windsor për një vizitë me Mbretin Charles. Biden do të udhëtojë për në Vilnius, Lituani, të hënën mbrëma ku do të zhvillojë bisedime me krerët e NATO-s atje të martën dhe të mërkurën.

Në një intervistë për CNN që parashikonte udhëtimin e tij, Biden kërkoi kujdes për momentin në përpjekjet e Ukrainës për t'u bashkuar me NATO-n, duke thënë se aleanca mund të tërhiqet në luftë me Rusinë për shkak të paktit të mbrojtjes reciproke të NATO-s.

"Unë nuk mendoj se ka unanimitet në NATO nëse do të futet apo jo Ukraina në familjen e NATO-s tani, në këtë moment, në mes të një lufte," ka deklaruar Biden.

Por Zelenskiy mendon se një ftesë për Ukrainën për t'u anëtarësuar në NATO do të dërgonte një mesazh se aleanca nuk ka frikë nga Moska. Ukraina duhet të marrë garanci të qarta sigurie ndërsa nuk është në NATO, dhe se ky do të ishte një nga qëllimet e tij në Vilnius, ka deklaruar Zelensky në një intervistë të transmetuar të dielën.

Anëtarësimi i Suedisë në NATO, që është bllokuar nga Hungaria dhe Turqia, do të jetë pjesë e agjendës në Vilnius. Anëtarët e rinj duhet të miratohen me votim unanime të të gjithë anëtarëve ekzistues të NATO-s.

Biden diskutoi ofertën e Suedisë në NATO në një telefonatë me Erdoganin dhe "përcolli dëshirën e tij për të mirëpritur Suedinë në NATO sa më shpejt të jetë e mundur", tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë të dielën.

Erdogan i tha Bidenit se Suedia duhet të bëjë më shumë për të frenuar mbështetësit e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), të cilën e konsideron një grup terrorist dhe që vazhdojnë të mbajnë demonstrata në Suedi, tha zyra e Erdogan.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota