Nepal, gjashtë të vdekur në një aksident me helikopter
Përgatiti: M.Miftari/RTKlive
Pesë turistët meksikanë dhe piloti nepalez, që ishin në bordin e helikopterit të aksidentuar, kanë vdekur.
Një helikopter u rrëzua në malet e Nepal, të martën, me ç’rast kanë vdekur gjashtë persona.
“Pesë turistët meksikanë dhe piloti nepalez, që ishin në bordin e helikopterit, kanë vdekur”, deklaruan autoritetet nepaleze për mediet e huaja.
Helikopteri ishte ngritur në afërsi të malit Everest, nga qyteti i vogël Lukla, pak pas orës dhjetë të mëngjesit, teksa tetë minuta pas ngritjes humbi kontaktin me të tjerët, njofton AFP, transmeton RTKlive.
“Ekipet e shpëtimit gjetën gjashtë trupa në vendin e përplasjes”, tha një zyrtar lokal për mediet e huaja. Aksidenti ka ndodhur në lagjen Solukhumbu, derisa bëhet e ditur se helikopteri ishte rrugës për në Katmandu, kryeqytet i Nepalit.























