Samiti i NATO-s, Ukraina dhe G7
BKT
Rajoni dhe Bota

Samiti i NATO-s, Ukraina dhe G7

RTK

Në Vilnus të Lituanisë vazhdon sot samiti i NATO-s ku do të inaugurohet Këshilli i Përbashkët NATO-Ukrainë. Ndërkohë, grupi i 7 vendeve më të industrializuara , e njohur si G7, ka njoftuar se shumë shpejt do ta ratifikojë një marrëveshje afatgjate të sigurisë me Ukrainën.

Vendet anëtare të G-7-s pritet që ta ratifikojnë një marrëveshje afatgjate të sigurisë me Ukrainën, sot, gjatë ditës së dytë të samitit të NATO-s, që po mbahet në Lituani. Në këtë marrëveshje pritet të përfshihen edhe pajisje të mbrojtjes, trajnime, por edhe bashkëpunim në fushën e inteligjencës apo këmbimit të informatave.

Kryeministri britanik, Rishi Sunak ka thënë se kjo marrëveshje do t’i dërgojë një shenjë të fuqishme presidentit rus Vladimir Putin.

Njoftimi për një marrëveshje afatgjate të sigurisë me Ukrainën u bë pas kritikave që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski, i bëri NATO-s për shkak të mosdhënies së një afati kohor për hyrje në Aleancë. NATO ka thënë se Ukraina nuk mund t’i bashkohet Aleancës, derisa vazhdon lufta me Rusinë.

Më herët, presidenti amerikan, Joe Biden, për Ukrainën kishte përmendur një model të ngjashëm me marrëveshjen që ShBA ka me Izraelin. Sipas asaj marrëveshjeje, Uashingtoni është zotuar për një ndihmë vjetore ushtarake për Izraelin në shumë prej 3.8 miliardë dollarë për 10 vjet.

Pjesë e grupit G-7 janë Mbretëria e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Japonia, Franca, Gjermania dhe Italia.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski, do t’u bashkohet sot liderëve të NATO-s në samitin që po mbahet në Vilnus të Lituanisë, ku do të mbahet një seancë inauguruese e Këshillit të përbashkët NATO-Ukrainë, ndërkohë që veçmas do të takohet edhe me presidentin amerikan, Joe Biden.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota