Sulm masiv i forcave ukrainase-200 ushtarë rusë të vrarë
Përgatiti: M.Miftari /RTKlive
Deri në 200 ushtarë rusë janë vrarë në një sulm nga forcat ukrainase në qytetin e pushtuar Tokmak.
Për këtë ngjarje ka konfirmuar edhe media pro-ruse, sipas të cilës forcat ukrainase drejtuan një sulm "masiv", në Tokmak.
Kështu njoftojnë edhe mediet ukrainase, ku thuhet se forcat ukrainase sulmojnë rregullisht qytetin Tokmak, i cili është i pushtuar nga ushtria ruse dhe u kanë shkaktuar pengesa të rënda forcave ruse në qytet.
“Forcat tona mbrojtëse kanë vepruar me sukses kundër pozicioneve të pushtuesve në Tokmak”, thotë për mediet ukrainase, Ivan Fedorov, kryebashkiak i qytetit të pushtuar Melitopol, në jug të Ukrainës, transmeton RTKlive.
Fedorov, duke iu referuar raporteve të inteligjencës, thotë se deri në 200 ushtarë rusë dhe komandanti i Tokmak u vranë nga një sulm në një bazë ruse atje.
Nga ana tjetër, mediet sociale pro-ruse thanë të martën se “forcat ukrainase po bombardojnë masivisht Tokmak. Paraprakisht janë regjistruar gjashtë sulme”.
Vladimir Rogov, një zyrtar i emëruar nga Rusia në qytetin e pushtuar të Zaporizhzhya, në Ukrainën juglindore, foli gjithashtu për disa shpërthime në Tokmak në të njëjtin qytet. Si dhe postoi një video që tregon zjarre në një zonë që nuk mund të identifikohej, njoftojnë mediet ndërkombëtare.
Në të njëjtën kohë, Ukraina njofton se forcat e saj kanë rimarrë zona në pjesën jugore të vendit. Bëhet fjalë për disa fshatra dhe komunitete – por, sipas CNN-it, ky informacion nuk mund të konfirmohet në mënyrë të pavarur.
“Armiku tani rigrupohet dhe përdor të gjitha rezervat e disponueshme. Ndërsa forcat tona shkatërrojnë çdo ditë rezervat e armikut me pajisjet e armikut, numri i sulmeve të armikut është ulur pak”, tha të enjten zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar.























