Ishujt Kanarie rrezikohen nga zjarri, shumë banorë lëshojnë shtëpitë
Dardan Ramabaja/RTK
Valët e nxehtësisë që kanë kapluar disa kontinente kanë ndikuar në përhapjen e zjarreve, ku në ishujt Kanarie një numër i konsiderueshëm i banorëve janë detyruar të lëshojnë shtëpitë e tyre.
Mijëra banorë të La Palma në Ishujt Kanarie janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre pasi punonjësit e urgjencës përpiqen të vënë zjarrin nën kontroll. Zjarri që filloi herët të shtunën ka konsumuar tashmë 4,500 hektarë tokë dhe një numër shtëpish. Rreth 400 pjesëtarë nga agjenci të ndryshme janë në terren duke shuar flakët.
Zyrtarët thonë se rreth 4,255 njerëz janë evakuuar, por të tjerë kanë refuzuar largimin.
Zjarri vjen më pak se dy vjet pasi një vullkan që shpërtheu në ishull, shkatërroi mijëra shtëpi.
Fernando Clavijo, president i qeverisë rajonale të Ishujve Kanarie, ka deklaruar se kishte "rezistencë ndaj braktisjes së shtëpive", por se përparësia duhej të ishte shpëtimi i jetëve.
Zjarri filloi në zonën e El Pinar në komunën veriperëndimore të Puntagorda, përpara se të përhapej në jug drejt qytetit të Tijarafe.
Clavijo ia atribuoi përhapjen e shpejtë erës, kushteve klimatike si dhe valës së të nxehtit .
Të shtunën vonë, ai tha se përparimi i tij ishte ngadalësuar, por se ai mbeti jashtë kontrollit.
Helikopterët janë përdorur për të shuar zjarrin para se të binte nata, ndërsa hidroplanët pritet t'i bashkohen operacionit të dielën, raportojnë mediat lokale.
Ushtria spanjolle ka vendosur 150 zjarrfikës të saj dhe një njësi tjetër pritet të ndjekë. Kryqi i Kuq ka ngritur gjithashtu një strukturë për të ndihmuar të evakuuarit.
Periudhat e nxehtësisë intensive ndodhin brenda modeleve natyrore të motit, por globalisht ato po bëhen më të shpeshta, më intensive dhe po zgjasin më shumë për shkak të ngrohjes globale.























