Asnjë gjurmë për sorollatjen e luaneshës në Kleinmachnow
Bardhyl Bajrami|RTK
Luanesha e cila alarmoi dje autoritetet në periferi të Berlinit, nuk u gjet. Pas hetimeve dhe mungesës së ndonjë gjurme të saj, janë ndërprerë kërkimet për të. Ekspertët kanë thënë se me gjasë fjala ishte për ndonjë derr të egër, e që në atë pjesë janë të zakonshëm.
Autoritetet gjermane kanë ndërprerë kërkimet pasi nuk u gjet ndonjë dëshmi për një luaneshë të mundshme, e cila u tha se po sillej e lirë në Kleinmachnow në periferi të Berlinit.
Nuk është gjetur asgjë nga kafsha e supozuar, siç janë gjurmë të shputave, jashtëqitje apo diçka tjetër për të konfirmuar prezencën e saj në atë zonë.
Pas bisedimeve me ekspertët, autoritetet besojnë se bëhej fjalë për një derr të egër e jo luaneshë. Dje, as kopshtet zoologjike, as cirqet e as strehimoret e kafshëve nuk kishin raportuar për ikjen e ndonjë kafshe nga lokalet apo objektet e tyre.
Policia ishte në kërkim të një luaneshë e cila u raportua se ishte parë nga dy qytetarë të cilët po e ndiqnin një derr të egër.
Në operacionin e djeshëm të kërkimit ishin angazhuar edhe dron e helikopter me kamera termike.























