Izraeli aprovon ligjin për Gjykatën Supreme
BKT
Rajoni dhe Bota

Izraeli aprovon ligjin për Gjykatën Supreme

Luan Qorraj /RTK

Pavarësisht protestave masive dhe kritikave ndërkombëtare, Parlamenti izraelit ka aprovuar ligjin i cili i kufizon fuqitë e Gjykatës Supreme, duke nxitur kështu akuza të reja nga qytetarët dhe opozitarët, të cilët thonë se qeveria e Netanyahu-t po tenton ta ngulfatë demokracinë në vend.

Përkundër protestave më të mëdha anti-qeveritare në dekada dhe kundërshtimeve të bashkësisë ndërkombëtare, Parlamenti izraelit ka aprovuar ligjin, i njohur si “Knesset”, i cili i kufizon fuqitë e Gjykatës Supreme, duke e ndaluar atë nga anulimi i vendimeve qeveritare për të cilat gjykata thotë se janë jokushtetuese. Ky është vetëm ligji i parë, në serinë e ligjeve të reja të planifikuara si reforma të juridikut, për të cilat opozitarët dhe një pjesë e madhe e shoqërisë civile të Izraelit insistojnë se janë të dizajnuara për të "ngulfatur demokracinë" duke e kthyer Izraelin në shtet teokratik.

 Opozitarët thonë se këto ndryshime kanë për qëllim edhe pamundësimin e përndjekjeve të mëtejshme penale të kryeministrit Netyanahu, i cili ballafaqohet me disa akuza për keqpërdorim të pushtetit dhe korrupsion.

Opozitarët izraelit, të cilët e bojkotuan votimin në “Knesset”, kanë thënë se aprovimi i këtij ligji është hapi i parë në "kapjen e shtetit nga ana e një minoriteti ekstrem në dëm të shumicës së izraelitëve."

Opozitarët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë thënë se nuk planifikojnë të ndalojnë protestat, të cilat, që nga fillimi i vitit, nxorën qindra mijëra izraelitë në rrugë për të kundërshtuar reformat, përderisa qeveria insiston se do të vazhdojë me reforma sipas planit.

 Ndryshimet kanë polarizuar shoqërinë izraelite në nivelin më të lartë që nga themelimi i vendit me një numër të madh të zyrtarëve , rezervistëve ushtarakë, si dhe deputetëve, të cilët i janë bashkuar kritikave ndaj planeve qeveritare.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota