Trajneri i Viktoria Plzen thotë se ka respekt për Dritën po jo edhe frikë
Uran Krasniqi/RTKLive
Trajneri i Viktoria Plzen, Miroslav Koubek, ka thënë se skuadra e tij ka respekt për Dritën po nuk ka frikë.
Ndeshja e parë në Plzen ishte mbyllur me rezultat të barabartë 0-0. Fituesi i takimit do të kalojë në rrethin e tretë të garës.
Trajneri çek ka folur një ditë para ndeshjes.
“E dimë se çfarë na pret, Drita është një kundërshtar cilësor, këtë e dinim edhe para ndeshjes së parë. Ne gjithashtu e dimë se nesër do të jetë një mjedis me stuhi. Respekti dhe përulësia ndaj kundërshtarit po, por frikë jo. Lojtarët e Dritës kanë eksperiencë me ndeshje të ngjashme, tashmë për të katërtin vit radhazi po luajnë në kualifikimet e Ligës së Konferencës, nuk janë të përulur”, ka thënë ai. "Ne e komplikuam situatën duke barazuar në shtëpi, por ne do të sulmojmë dhe do të synojmë të mposhtim kundërshtarin".























