Luzi thotë se Dukagjini do të përpiqet për rezultat pozitiv në Rijekë
Uran Krasniqi/RTKLive
Ndihmës-trajneri i Dukagjinit të Klinës, Artan Luzi ka thënë se skuadra e tij do të mundohet që ta vendosë Rijekën në pozicion të vështirë të enjten kur dy skuadrat ndeshen në Conference League.
Ndeshja e parë në Prishtinë është mbyllur me fitoren e skuadrës kroate me rezultat 0-1. Në ndeshjen e nesërme përfundimisht vendoset se kush kalon në rrethin e tretë.
Luzi, i cili ka marrë rol kryesor pas ndëshkimit me karton të kuq të trajnerit Armend Dallku në Prishtinë, ka folur një ditë para ndeshjes.
"Ne kemi respekt makismal për Rijekën, për neve do të jetë një ndeshje e vështirë, por ne njëjtë si në Prishtinë, do të mundohemi ta vendosim kundërshtarin në një pozicion që na favorizon neve", ka thënë ai. "Ne nuk do të bëjmë as më pak e as më shumë se sa në ndeshjen e kaluar. Shpresojmë të kemi edhe fat".
Ai ka shprehur keqardhje për sulmet ndaj tifozëve të Rijekës në Serbi gjatë kthimit nga Kosova.























