Danimarka ndërpret rrugën evropiane të Kosovës
BKT
Sport

Danimarka ndërpret rrugën evropiane të Kosovës

Uran Krasniqi/RTKLive

Kombëtarja e Kosovës në basketboll nuk do të marrë pjesë në kualifikimet për Eurobasket 2025.

Kjo pasi të shtunën e ka humbur ndeshjen vendimtare e cila ka qenë përcaktuese për vazhdimin tutje. 
Ballafaqimin me Danimarkën në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, Kosova e ka humbur me rezultat 63:88.

Mysafirët e nisën ndeshjen më mirë, me epërsi 7:14 dhe e kontrolluan çerekun e parë, duke e fituar këtë pjesë 17:24. Danezët shtuan epërsinë edhe më shumë në periudhën e dytë, për të shkuar në pushim m rezultat 28:47.

Dardanët u munduan të rikthehen në pjesën e dytë, përkatësisht periodën e tretë, megjithatë, kjo pjesë u zhvillua e baraspeshuar, ku shifrat pas 30 minutash ishin 45:68. Në dhjetë minutat e fundit u zhvillua lojë vetëm formalisht, pasi rikthimi ishte i pamundur dhe Danimarka triumfoi 63:88.

Muhamedali Janjeva dhe Dominic Artis shënuan nga 11 pikë.

Edhe ndeshjen e parë Danimarka e kishte fituar ndaj Kosovës 82:75.

Kosova e kishte mposhtur Zvicrën në dy ndeshje.