Rusia ka goditur një qendër të transfuzionit të gjakut
Dardan Ramabaja / RTK
Rusia ka goditur një qendër të transfuzionit të gjakut, ka njoftuar presidenti ukrainas Volodimir Zelensky.
Presidenti Zelensky postoi një foto që supozohet se tregon qendrën e transfuzionit të gjakut në Kupiansk që u përfshi nga zjarri pas sulmit rus me raketa.
Një "raketë e udhëzuar" ruse ka goditur një qendër transfuzioni gjaku në Ukrainën verilindore, duke vrarë dhe plagosur njerëz, ka thënë presidenti i Ukrainës.
"Mposhtja e terroristëve është një çështje nderi për këdo që vlerëson jetën," shtoi ai.
Rusia deri më tani nuk ka komentuar publikisht për sulmin e raportuar.
Dy muaj më vonë, ofensiva e madhe e Ukrainës është më e ngadaltë nga sa pritej
Në postimin e tij, Zelensky i përshkroi autorët si "bisha" duke shtuar se "ky krim lufte vetëm sa tregon gjithçka për agresionin rus,", duke mos përmendur se sa njerëz u vranë dhe sa u plagosën në sulm.
Qyteti i Kupiansk dhe vendbanimet aty pranë u pushtuan nga trupat ruse në ditët e para të pushtimit por zona u çlirua gjatë një kundërofensive ukrainase shtatorin e kaluar.
Presidenti Zelensky tha gjithashtu se të shtunën Rusia kreu veçmas një sulm raketor, duke synuar një kompani aeronautike të drejtuar nga grupi Motor Sich në rajonin perëndimor Khmelnytskyi.
Sulmet ruse vijnë pasi Moska akuzoi Ukrainën se goditi një cisternë ruse me 11 anëtarë të ekuipazhit në Detin e Zi - sulmi i dytë i tillë me dron në det në po aq ditë.
Zyrtarët rusë detarë thanë se dhoma e motorit të cisternës Sig u dëmtua në një sulm në ngushticën e Kerçit.
Ngushtica e Kerçit lidh Detin e Zi dhe Detin Azov, duke ndarë Krimenë - gadishullin e Ukrainës të aneksuar nga Moska në 2014 - dhe gadishullin Taman të Rusisë.
Ukraina nuk ka komentuar publikisht. Por një burim i shërbimit ukrainas të sigurisë i tha BBC-së se ishte përdorur një dron uji.
























