Vuçiq dëshmitar në rastin `Panda`
A.B / RTKlive
Ivan Niniq, përfaqësuesi ligjor i prindërve, djemtë e të cilëve u vranë në kafenenë “Panda” të Pejës, ka dorëzuar kërkesë në Prokurorinë për Krim të Organizuar (TOK) për të dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Në kërkesë thuhet se prindërit kërkojnë që Vuçiqi të dëgjohet në lidhje me deklaratat për masakrën në “Panda”, të cilat i ka bërë disa herë në media nga viti 2013 deri në vitin 2018, duke pretenduar se krimi nuk është kryer nga shqiptarët dhe se ai “pothuajse e di" çfarë ndodhi atë natë fatale në atë kafe.
Thuhet se siç ka thënë nënkryetari i parë i Qeverisë së Serbisë dhe shef i Byrosë për Koordinimin e Shërbimeve të Sigurisë, Aleksandër Vuçiq, më 26 dhjetor 2013, në një emision “në TV Pink: Krimi në 'Panda' nuk është bërë nga shqiptarët, siç kemi besuar deri më tani. Publiku do të tmerrohet kur të zbulohet e vërteta”.























