Rashica i lumtur për golin e parë në fanellën e Beshiktashit
B. H. | RTKlive
Futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Milot Rashica është shprehur i lumtur që e ka shënuar golin e parë te Beshiktashi.
Sulmuesi anësor e gjeti rrugën e golit në fitoren e skuadrës së tij ndaj Sivassporit, me rezultat 2:0, në Superligën turke. Kjo ishte ndeshja e dytë e Rashicës në fanellën e Beshiktashit.
“Jam shumë i lumtur që kam shënuar gol dhe e kam ndihmuar ekipin. Gjëja më e rëndësishme ishte të fitojmë tri pikë sot. Kemi fituar para tifozëve tanë. Tani i kemi ndeshjet me kombëtare. Kemi lojtarë që shkojnë në ekipet e veta kombëtare. Do të kthehemi më të fortë nga pushimi pas ndeshjeve të kombëtareve. Si ekip po bëhemi gjithnjë e më i mirë. Është vetëm fillimi i edicionit. Do të bëjmë shumë gjëra të mira së bashku”, ka thënë Rashica për faqjen zyrtare të Beshiktashit. Ai luajti 63 minuta, teksa shënoi golin e dytë të ndeshjes në mimutën e 40-të.
Rashica nesër do t'i bashkohet Kombëtares së Kosovës për dy ndeshjet kualifikuese kundër Zvicrës dhe Rumanisë.























