Presidenti kinez nuk do të marrë pjesë në Samitin G20, Biden i zhgënjyer
BKT
Rajoni dhe Bota

Presidenti kinez nuk do të marrë pjesë në Samitin G20, Biden i zhgënjyer

Përgatit: Dardan Ramabaja/RTK

Presidenti amerikan Joe Biden është shprehur i zhgënjyer me homologun kinez Xi Jingping, pasi ky i fundit ka paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë në samitin G20, i cili mbahet më 9 shtator në Indi.

 Kryeministri kinez Li Qiang pritet të përfaqësojë Pekinin në samitin në Nju Delhit këtë javë, raporton Reuters.

"Jam i zhgënjyer... por do të shkoj ta takoj", u tha Biden gazetarëve të dielën, pa specifikuar se kur mund të zhvillohet ai takim.

Të dy liderët u takuan për herë të fundit në samitin në Indonezi vitin e kaluar.

Z. Xi kishte thënë më herët se do të udhëtonte në kryeqytetin indian për takimin - por ministria e jashtme e Kinës nuk do ta konfirmonte pjesëmarrjen e tij kur iu kërkua ta bënte këtë në një konferencë të rregullt për media të enjten.

Raportet e lajmeve, duke cituar burime të afërta me organizimin e takimit vjetor, thonë se Xi nuk ka në plan të marrë pjesë në samitin e këtij viti.

Kjo vjen në kohën e përkeqësimit të marrëdhënieve mes Kinës dhe Indisë. Ndër të tjera, të dy vendet po përballen me njëra-tjetrën përgjatë kufirit të tyre të diskutueshëm në rajonin e Himalajeve.

Megjithatë Xi dhe Biden ende kanë një mundësi për të biseduar në nëntor, në një takim mes udhëheqësve të Bashkëpunimit Ekonomik të Azi Paqësorit në San Francisko.

Mospjesëmarrja e liderit Kinez në samitin G20 vjen në kohën kur lidhjet SHBA-Kinë kanë vazhduar të përkeqësohen vitin e kaluar.

Rreth dy muaj pasi të dy udhëheqësit u takuan në ishullin indonezian të Balit nëntorin e kaluar, një balonë e supozuar spiune kineze në qiellin e SHBA dëmtoi shpresat për një rivendosje në marrëdhëniet dypalëshe.

Të dy vendet nuk pajtohen për një sërë çështjesh, duke përfshirë të drejtat e njeriut në Xinjiang dhe Hong Kong, pretendimet territoriale ndaj Tajvanit dhe Detit të Kinës Jugore dhe dominimin në rritje të Pekinit ndaj një sërë industrish.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota