Vazhdon operacioni i Azerbajxhanit në Nagorno Karabakh
Përgatiti: Bardhyl Bajrami / RTK
Azerbajxhani ka njoftuar se ka vazhduar për të dytën ditë me radhë masat e saj ushtarake në rajonin e Nagorno Karabakhut, rajon ky që ndërkombëtarisht njihet si pjesë e Azerbajxhanit por që mbahet nën kontroll të armenëve etnik.
Azerbajxhani ka thënë se, siç e ka quajtur operacionin anti-terrorist, nuk do ta ndërpresë deri në dorëzimin e separatistëve etnik armen. Ky operacion është ndërmarrë si kundërpërgjigje ndaj vdekjes së gjashtë personave, përfshirë katër policë, në dy shpërthime të minave tokësore që ka ndodhur të martën.
Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit, përmes një deklarate dhënë të mërkurën ka thënë se pajisjet ushtarake që i përkisnin forcave ushtarake të Armenisë janë neutralizuar, përfshirë automjetet ushtarake, artilerike dhe instalimet e raketave kundër-ajrore.
Të martën, Baku zyrtar ka urdhëruar, siç i ka quajtur formacionet ushtarake ilegale të armenëve t’i dorëzojnë armët dhe ta shpërbëjnë regjimin e tyre ilegal.
Dje, armenët etnik në Karabakh kanë apeluar për një armëpushim dhe për fillim të bisedimeve. Azerbajxhani nga ana tjetër ka thënë se bisedimet mund të fillojnë në qytetin Yevlakh, që ndodhet rreth 100 km në veri të kryeqytetit rajonal të Karabakhut, Khankendi, që nga armenët quhet Stepanakert.
Kryeministri armen Nikol Pashinyan e ka akuzuar Azerbajxhanin për nisjen e operacionit tokësor me qëllim spastrimin etnik.
Azerbejxhani dhe Armenia, vende këto fqinje, kanë nisur luftën për territorin e Nagorno Karabakhut, qysh në vitet e hershme të 90-ave, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik e më pas lufta ka nisur edhe në vitin 2020 kur Azerbejxhani rimori territore në Karabakh dhe përreth të cilat që po mbaheshin nën kontrollin e armenëve nga viti 1994. Rreth 3 mijë paqeruajtës rus ishin pozicionuar në këtë rajon për ta mbikëqyrur armëpushimin në vitin 2020 por që përkushtimi rus është zhvendosur nga këtu pas fillimit të operacionit për pushtimin e Ukrainës.
Rusia ka thënë se ushtarët e saj kanë evakuuar rreth 500 civil nga zona më e rrezikshme, ndërsa separatistët që e kanë nën kontroll kanë thënë se kanë ndihmuar në evakuimin e rreth 7000 civilëve.























