Legia me dy golat e Muçit fiton nga Aston Villa
BKT
Sport

Legia me dy golat e Muçit fiton nga Aston Villa

Uran Krasniqi/RTKLive

Trajneri i Legia Warsaw, Kosta Runjaic sonte mund të jetë bindur se futbollisti shqiptar, Ernest Muçi meriton më shumë hapësirë. Futbollisti i Shqipërisë me dy golat e tij ka ndihmuar skuadrën polake që ta mposhtë hiç më pak se skuadrën angleze, Aston Villa.

Ndeshja e parë e fazës së grupeve të Conference League është fituar nga Legia me rezultat 3-2. 

Skuadra polake ka marrë epërsinë në tre raste të veçanta dhe në fund ka rezultuar të jetë fituese e një takimi ku janë realizuar pesë gola. 

Polakët e kanë gjetur epërsinë qysh në minutën e tretë me golin e Wszolek, por anglezët kanë barazuar vetëm pas tre minutave me Duran. 

Pastaj ka qenë radha e Muçit për golin e parë. Ka qenë minuta e njëzet e gjashtë kur e ka shndërruar në gol një top të dhënë nga Wszolek, duke i ridhënë avntazhin Legias. 

Barazimi anglez ka ardhur pas trembëdhjetë minutave kur ka realizuar Digne.

Pjesa e parë është mbyllur baras 2-2. 

Pak minuta pasi ka filluar pjesa e dytë, përkatësisht minuta e pesëdhjetë e një Muçi ka dalë në skenë edhe një herë. Pas një asisti nga Gual ai ka shënuar edhe golin e dytë personal në ndeshje po edhe të fitores për skuadrën e tij. 

Në ndeshjen tjetër të grupit Zrinjski ka fituar nga AZ Alkmaar.