Kosova U17 mposht Gjeorgjinë, del e para në miniturneun kualifikues
Uran Krasniqi/RTKLive
Kombëtarja e Kosovës U17 në konkurrencën e vajzave ka dalur e para në miniturneun kualifikues të Grupit 1 në Ligën B për kualifikimet e Kampionatit Evropian “Suedia 2024”,
Në garën që gjatë ditëve të fundit u organizua nga Federata e Futbollit e Kosovës, vajzat dardane shënuan fitore në ndeshjen e tretë dhe përcaktuese për pozitën e parë ndaj Maqedonisë së Veriut, me rezultat 2:1. Kjo pas barazimit me Andorrën dhe fitores me Gjeorgjinë.
Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” të parat në epërsi kaluan mysafiret me golin e Kalina Popeski, në minutën e 10-të. Megjithatë, baraspeshën në rezultat e riktheu Rita Feka, në minutën e 27-të (1:1), me të cilin rezultat edhe u mbyll pjesa e parë. Në pjesën e dytë Dardanet ishin edhe më këmbëngulëse drejt portës mysafire, të vetëdijshme se vetëm fitorja kryente punë, pasi Maqedonia e Veriut në dy ndeshjet e para kishte shënuar fitore. Punët për të përzgjedhurat e Sanije Krasniqit u lehtësuan pas përjashtimit të Komnenovës në minutën e 68-të. E këtë epërsi numerike në fushë Dardanet e kapatializuan në minutën e 84-t, me golin e Liza Hoxhës, duke vulosur fitoren në këtë ndeshje, me shifrat 2:1.























