Trepça s`udhëton drejt Izraelit, pezullohen ndeshjet e skuadrave izraelite
Uran Krasniqi/RTKLive
Trepça nuk do të luajë javën e ardhshme kundër Hapoel Galil Elionin në kuadër të FIBA Europe Cup. Kjo pas shpërthimit të konflikit izraelito-palestinez, me ç`rast shtëpia kryesore e basketbollit në nivel kontinental ka pezulluar ndeshjet e skuadrave izraelite për kohë të pacaktuar.
"Duke pasur parasysh situatën aktuale të sigurisë në Izrael dhe pas rekomandimit të këshilltarëve të saj të sigurisë, FIBA Europe ka marrë vendimin për të pezulluar të gjitha lojërat që përfshijnë ekipet izraelite në të gjitha garat", ka njoftuar FIBA Europe. "FIBA Europe, në bashkëpunim të ngushtë me Federatën e Basketbollit të Izraelit dhe klubet pjesëmarrëse, do të vazhdojë të monitorojë situatën".
Ndeshja mes Trepçës dhe skuadrës izraelite ishte planifikuar të zhvillohej më 18 tetor. Kësisoji, rrethana e re, bën që mitrovicasit ndeshjen e parë ta zhvillojnë si vendas kundër skuadrës holandeze, ZZ Leiden.























