Blinken, ka mbërritur në Izrael pritet të kërkojë lirimin e pengjeve
Ardiana Gashi /RTK
Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite kanë shtuar përpjekjet diplomatike në Lindjen e Mesme, pasi shtohet frika se lufta Izrael-Hamas do të shndërrohet në një konflikt rajonal.
Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken mbërriti në Izrael të enjten, disa orë pasi liderët e Arabisë Saudite dhe Iranit folën për herë të parë në vite në atë që Riadi tha se ishte një përpjekje për të parandaluar përhapjen e luftës në Lindjen e Mesme.
Blinken lëshoi një paralajmërim përpara se të nisej drejt fuqive të tjera rajonale për të mos "përfituar" nga situata në Izrael.
Blinken në Tel Aviv do të takohet më vonë me kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanyahu dhe pas takimit me liderët izraelitë të enjten, Blinken më vonë do të zhvillojë bisedime me liderët palestinezë dhe jordanez në Aman të Jordanisë.
Izraeli thotë se rrethimi i Gazës nuk do të përfundojë derisa pengjet izraelite të lirohen "Asgjë elektrike nuk do të ndizet, asnjë hidrant uji nuk do të hapet dhe asnjë kamion me karburant nuk do të hyjë," tha ministri i energjisë, Israel Katz. Të mërkurën, i vetmi termocentral në Gaza mbeti pa karburant, që do të thotë se territori po mbështetet te gjeneratorët.
Dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq paralajmëroi se gjeneratorët e spitaleve mund të mbeten pa karburant sot.
Të paktën 150 pengje u morën në Gaza gjatë sulmeve vdekjeprurëse të Hamasit në Izrael në fundjavë, ku u vranë 1200 njerëz.
Një numër i ngjashëm njerëzish janë vrarë në Gaza që kur Izraeli filloi sulmet ajrore hakmarrëse, me 338,000 të zhvendosur
Ushtria izraelite thotë se sulmet e saj ajrore kanë në shënjestër rrjetin e madh të tuneleve të Hamasit Izraeli "po kryen një sulm në shkallë të gjerë" në objektivat e Hamasit në Gaza, thanë të enjten Forcat Mbrojtëse të Izraelit, ndërsa konflikti hyri në ditën e gjashtë. Ndërkohë Izraeli ka formuar një qeveri emergjente dhe kabinet lufte duke grumbulluar edhe 300,000 rezervistë pranë kufirit të Gazës në një mobilizim të madh trupash.
Zyrtarët amerikanë thanë se të paktën 22 qytetarë amerikanë kanë vdekur në Izrael dhe presidenti Joe Biden konfirmoi se amerikanët ishin në mesin e pengjeve.























