Joe Biden viziton Izraelin
Luan Qorraj / RTK
Presidenti amerikan Joe Biden do të vizitojë Izraelin të mërkurën për të parë planet e ofensivës tokësore kundër militantëve të Hamasit në Gaza, ka njoftuar sekretari amerikan i shtetit Anthony Blinken.
Biden do të diskutojë për planet se si Izraeli do të kryejë operacionet e tij në një mënyrë që "minimizon viktimat civile".
Pas vizitës në Izrael, Biden do të udhëtojë në Jordani për të takuar mbretin Abdullah, presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi dhe presidentin e Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas, njofton zëdhënësi i sigurisë kombëtare të SHBA-së, John Kirby.
Në paralajmërimin e tij më të fortë, Irani, i cili mbështet Hamasin, thotë se mund të ndërmarrë "veprim parandalues" kundër Izraelit në orët e ardhshme.
Ndërkohë, shefi i ndihmës humanitare të OKB-së, Martin Griffiths thotë se sistemi shëndetësor dhe spitalet në Rripin e Gazës të drejtuar nga Hamasi "po shemben".
Zyrtarët palestinezë thonë se sulmet izraelite të hënën mbrëma në Gazën jugore, duke përfshirë afër kalimit kufitar Rafah, vranë 49 njerëz.
Më shumë se 1,300 njerëz në Izrael janë vrarë nga Hamasi që nga 7 tetori, kurse rreth 2800 njerëz kanë vdekur në sulmet izraelite në Gaza.























