Enrique thotë se dy ndeshjet kundër Milanit janë jetike
Uran Krasniqi/RTKLive
Ndeshjet e Paris St Germain kundër AC Milan janë jetike për përpjekjen për t`u kualifikuar nga një grup i vështirë, ka thënë trajneri Luis Enrique të martën para ndeshjes në "Parc des Princes".
PSG është e dyta në Grupin F dhe në dy ndeshjet e ardhshme përballet me fituesin e shtatëfishtë të garës, skuadrën e njohur italiane të drejtuar nga Stefano Pioli. Në grupin që kryesohet nga Newcastle me katër pikë, klubi francez ka tri pikë, një më shumë se sa Milan. Borussia Dortmund gjendet në vendin e fundit me vetëm një pikë.
"Çdo klub në botë ka uljet dhe ngritjet e veta, por AC Milan po bën mirë për momentin. Kjo është arsyeja pse ky është 'Grupi i Vdekjes': të katër skuadrat mund të kalojnë", ka thënë spanjolli. "Ne jemi të përqendruar në secilën ndeshje, por këto ndeshje kundër Milanit janë jetike".























