Gakpo rikthehet nga lëndimi, Klopp thotë se Toulouse meriton respekt
Uran Krasniqi / RTKLive
Sulmuesi i Liverpool, Cody Gakpo është rikuperuar nga lëndimi dhe është i gatshëm për ndeshjen në shtëpi të së enjtes kundër Toulouse në kuadër të Europa League, ka thënë trajneri Jurgen Klopp.
Pas një lëndimi në gju gjatë ndeshjes me Tottenham Hotspur, reprezentuesi holandez kishte humbur dy ndeshjet e fundit të klubit në ligë dhe një tjetër në Europa League.
“Cody është në stërvitje të plotë tani që nga e diela, që do të thotë se ai është i disponueshëm për skuadrën”, u ka thënë Klopp gazetarëve.
Liverpool, i katërti në tabelën e Premier League, do të përballet me Nottingham Forest të dielën, por për momentin fokusi i Klopp është vetëm te Toulouse.
"Nuk kam menduar ende për të dielën, për të qenë i sinqertë. Toulouse meriton gjithë respektin tonë", ka theksuar gjermani.
Liverpool është në krye të Grupit E pas fitoreve ndaj LASK dhe Union Saint-Gilloise.























