Chelsea u kthehet humbjeve
Uran Krasniqi/RTKLive
Po vazhdon ecja me ulje dhe ngritje e Chelseas në Premier League. Pas barazimit me Arsenalin, ku u krijua përshtypja se skuadra e drejtuar nga Mauricio Pochettino ka dalur nga cikli i rezultateve negative, sot Chelsea është mposhtur nga Brentford.
Ndeshja e zhvilluar në "Stamford Bridge" është mbyllur 0-2.
Pjesa e parë ka pasur raste, por jo edhe gola.
Dallimi është bërë pas kthimit në fushë nga pushimi pesëmbëdhjetë minutësh.
Ka qenë minuta e pesëdhjetë e tetë kur Pinnock ka shfrytëzuar një top të dhënë nga Mbeumo për ta kthyer në gol dhe për t'i dhënë epërsinë skuadrës mysafire.
Chelsea është munduar ta vendosë barazpeshën, por pa sukses.
Kur është dukur se ndeshja do të mbyllej me fitore minimale të Brentford, në skenë ka dalur sërish Pinnock po këtë herë si asistues, duke i dhënë një top asistuesit të golit të tij, Mbeumo, i cili edhe e ka vendosur rezultatin përfundimtar të ndeshjes.
Në tabelën e kryesuar nga Tottenham, Chelsea gjendet vetëm në pozitën e njëmbëdhjetë.























