Izraeli ka goditur 600 objektiva të Hamasit në 24 orët e fundit
Hanife Osmani / RTK
Forcat izraelite kanë lënë të vdekur 20 militantë të Hamasit në sulmet e fundit në Gazë. Spitali kryesor Al-Quds mbetet i paevakuar, me gjithë paralajmërimet e Tel Avivit, pasi qindra pacientë gjenden në kujdesin intensiv.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit, këtë mëngjes, kanë njoftuar se kanë goditur 600 objektiva të Hamasit në 24 orët e fundit. Ushtria izraelite ka ndarë një përditësim në lidhje me operacionet e tyre tokësore në Gaza, të cilat ata thonë se vazhduan të zgjerohen gjatë natës. Gjatë përleshjeve me terroristët në Rripin e Gazës, trupat izraelite vranë dhjetëra terroristë të cilët u barrikaduan në ndërtesa dhe tunele dhe u përpoqën të sulmonin trupat izraelite.
Kryqi i kuq palestinez ka njoftuar se sulmet ajrore të Izraelit po vazhdojnë përreth spitaleve kryesore në qytetin e Gazës. Tel Avivi ka paralajmëruar stafin të evakuonte spitalin Al-Quds, por doktorët thonë se evakuimi i qindra pacientëve shumë prej të cilëve janë në kujdesin intensiv mbetët i pamundur.
Rreth 14.000 civilë mendohet të jenë gjithashtu të strehuar brenda spitalit dhe mjediset e tij raporton BBC-ja.
Izraeli ka bombarduar Gazën që nga sulmet e 7 tetorit të militantëve të Hamasit të cilat vranë 1400 njerëz dhe rrëmbyën 230 pengje. E nga ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza thotë se më shumë se 8,000 njerëz janë vrarë që nga fillimi i bombardimeve hakmarrëse të Izraelit.
Fëmijët po përballen me një situatë katastrofike në Gaza, ku prindërit nuk kanë zgjidhje tjetër veçse t'u japin atyre ujë të kripur, bëhet e ditur nga agjencia e OKB-së për ndihmë për fëmijët, Unicef.
Toby Fricker, zëdhënës i Unicefit, i tha BBC-së se ajo që ne po shohim tani në baza të përditshme është se fëmijët po vriten, po plagosen, po gjymtohen. Fricker bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm dhe rritje të ndihmave në Gaza.
Ndërsa, që kur u lejuan të rifillonin furnizimet me ndihma humanitare, më shumë se 30 kamionë ndihma kanë hyrë në Gaza të dielën, dërgesë kjo më e madhja deri më tani që ka arritur në Gaza.























