Hapet ekspozita e Gani Kosumit "Mbijetesa e sportit të Kosovës 1991-1999"
BKT
Sport

Hapet ekspozita e Gani Kosumit "Mbijetesa e sportit të Kosovës 1991-1999"

Sh. Gashi/RTKlive

Në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, është hapur ekspozita e gazetarit shumëvjeçar të sportit, Gani Kosumi me titull: "Mbijetesa e sportit të Kosovës 1991-1999" që pasqyron në etapa, zhvillimin, sakrificën dhe përkushtimin e sportistëve kosovarë në periudhën e “golgotës shqiptare”. Në ekspozitë po pasqyrohen 70 fotografi, nga rreth 200 mijë sa kishte shkrepur në këtë decenie Kosumi.

Vetë Kosumi tha se ishte tepër e vështirë klasifikimi i fotografive, pasi secila prej tyre bartë në vete një pjesë të historisë të sportit kosovar.

“Ka 4 apo 5 muaj që unë jam duke punuar që t’i përzgjedh fotografitë më adekuate, në mënyrë që të vij tek 70 fotografitë që janë sot këtu në këtë ekspozitë”, tha Kosumi.

Periudha e pavarësisë së sportit të Kosovës, sipas tij, shënohet me përpjekje të pareshtura të sportistëve të Kosovës të cilët u dëbuan nga stadiumet e futbollit, nga palestrat sportive, por siç tha Kosumi, ata gjetën formë që të organizohen në mënyrë që të mbijetojë sporti i Kosovës.

“Ali Latifi ishte kryetar i parë i sportit të pavarur të Kosovës, pastaj vijnë; Mazllum Belegu e Ismail Kasumi... këta ishin personat të cilët e drejtuan sportin e Kosovës në atë përudhë, dhe i falënderojë ata dhe shumë sportistë që i shohë sonte këtu, të cilët kanë qenë pjesë e këtyre garave sportive, qoftë në sportin individual, qoftë edhe në sportin kolektiv”, deklaroi Kosumi, autori i ekspozitës.

Ai kishte një apel për gjeneratat e reja, që t’i shohin këtë fotografi në ekspozitë, e nëpërmjet tyre ta kuptojnë se sa e vështirë ishte periudha e mbijetesës së sportit kosovar.

“Besoj që gjeneratat e reja kanë mundësi që të arrin edhe më shumë sukses, sepse kjo gjeneratë që ka sakrifikuar kaq shumë, nuk ka pasur mundësi që ta përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare, ndërsa sot janë hapur rrugët që sportistët tanë në mënyrë ekipore, apo kombëtare në të gjitha degët e sportit ta përfaqësojnë Kosovën”, deklaroi Kosumi.

Ekspozita është hapur në ambientet e Atelesë përballë Sallës së Kuqe në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Në hapjen solemne kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga MKRS, KOK-u, nga Komuna e Prishtinës, drejtues të federatave sportive, sportistët dhe të tjerët.

Për kontributin e Kosumit dhe ndihmën si ministri e Kulturës, ka folur Ibër Alaj, drejtor i Drejtorisë për sport në MKRS, i cili edhe e shpalli të hapur ekspozitën.Ai tha se fotografitë që janë ekspozuar, tregojnë për sfidën e sportistëve dhe trajnerëve  kosovarë gjatë okupimit, dhe siç tha Alaj, na ngjallin ndjenjën të veçanet për periudhat e ardhshme.

Ndryshe, Gani Kosumi është gazetar shumëvjeçar i sportit, i cili karrierën sportive e nisi nga gazetat e studentëve “Bota e re” për të vazhduar nëpër gazeta vendore e më pas në RTP, RTSH, e në fund u pensionua si redaktor i sportit në Radio Kosovë. Për kontributin e tij, ai ka marrë disa çmime.

Ekspozita do të mbetet e hapur për tri ditë, nga ora 10 deri në ora 20:00.