Në Holandë mbahet marsh për klimën
Dardan Ramabaja / RTK
Lufta Izrael-Hamas ka nxitur ndasi edhe në mesin e aktivistëve të klimës, në një marsh që u organizua në Holandë.
Aktivistja suedeze e klimës Greta Thunberg u ndërpre gjatë fjalimit të saj në Marshimin e së dielës për Klimën dhe Drejtësinë në Amsterdam.
Përpara se të fliste Greta, pati një incident që përfshinte fituesin e PAX Peace Dove 2023, Sahar Shirzad. Organizata e marshimit ishte pajtuar me të se "do të mbahet një fjalim unifikues për paqen. Kjo nuk ndodhi", njofton organizata.
Shirzad përsëriti në fjalimin e saj sloganin kontrovers "Nga lumi në det, Palestina do të jetë e lirë".
Prandaj organizata vendosi të shkurtojë fjalimin e Shirzad.
Kur Thunberg e kishte radhën për të folur, ajo ia ktheu mikrofonin Shirzadit. “E pari, disa njerëz u ndërprenë më parë”, tha Thunberg duke iu referuar fjalimit të Shirzad.
“Si një lëvizje për drejtësinë klimatike, ne duhet të dëgjojmë zërat e atyre që po shtypen. Dhe ata që luftojnë për liri dhe drejtësi. Përndryshe nuk mund të ketë drejtësi klimatike pa solidaritet ndërkombëtar”.
Gjatë fjalimit të Thunberg, një burrë u ngjit në skenë dhe i mori mikrofonin, duke i thënë: "Unë vij këtu për një demonstrim klimatik, jo për një pikëpamje politike".
Pasi burri u hoq nga skena, Thunberg vazhdoi fjalimin e saj.
85.000 njerëz morën pjesë në Marshimin për Klimën dhe Drejtësinë, duke e bërë atë demonstrimin më të madh për klimën ndonjëherë në Holandë.























