Gjermania dyfishon ndihmën ushtarake për Ukrainën
DW
Gjermania do të dyfishojë ndihmën e saj ushtarake për Ukrainën në vitin 2024. Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius konfirmoi jo drejtpërdrejt informacionet e mediave.
Rritja e planifikuar e ndihmave ushtarake është një "sinjal i fortë për Ukrainën se ne nuk do ta braktisim këtë vend," tha ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius, në një deklaratë për televizionin gjerman ARD. Pistorius konfirmoi në mënyrë indirekte raportimet e ARD-së dhe të gazetës "Bild am Sonntag”, sipas të cilave mbështetja e Gjermanisë për Ukrainën do të rritet nga katër në tetë miliardë euro në vitin 2024.
"Ne nuk duam të jemi në një situatë vitin e ardhshëm, ku duhet të kërkojmë më shumë para, kur dihet se kjo ka vërtet rëndësi,” tha Pistorius. Kjo është arsyeja pse rritja është një "sinjal i rëndësishëm" - "sidomos tani, kur Ukraina duhet të vazhdojë luftën e saj, ndërkohë që një pjesë e vëmendjes publike të botës është drejtuar më shumë drejt Izraelit."























