Sylvinho: Dua ta mbyllim fushatën kualifikuese si kryesues të grupit
Uran Krasniqi/RTKLive
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvino ka thënë se synimi i tij është mbyllja e fushatës së kualifikimeve për Euro 2024 me Shqipërinë si kryesuese të grupit.
Shqipëria me barazimin kundër Moldavisë në ndeshjen e fundit ka nxjerrë biletën për finalet e Evropianit të vitit të ardhshëm në Gjermani. Për vendin e dytë tash do të luftojnë Republika Çeke dhe Moldavia.
Braziliani ka dalur të dielën në një konferencë shtypi ku ka folur për ndeshjen e fundit me Ishujt Faroe.
"Objektivi i radhës i yni është të shkojmë si kryesues të grupit, është objektivi i dytë. Duhet të bëjmë një ndeshje të bukur, paraqitje të rëndësishme. Nëse fitojmë, na vendos në pozita të mira. Por vijmë në këtë sfidë në kushte shumë të mira", ka thënë trajneri brazilian.
Ai është shprehur se ndeshja me Moldavinë ishte shumë e lodhshme psikologjiksht.
Ai ka thënë se nuk shqetësohet nga ajo se cila skuadër mund të jetë pjesë e grupit me Shqipërinë në Euro 2024.
"U kualifikuam një ndeshje para se të mbylleshin ndeshjet në grup dhe padyshim kjo është një gjë fantastike. Kemi shatë ndeshje pa humbje dhe një mbrojtje solide, jemi në katër mbrojtjet më të mira të turneut. Ndaj nuk mendoj shumë për skuadrat që do të na japë shorti", është shprehur Sylvinho.
E futbollisti Keidi Bare, që ishte në krah të trajnerit Sylvinho, në konferencën për shtyp, ka thënë se tash pas kualifikimit duhet të synohet paraqitje sa më e mirë në Evropianin e Gjermanisë.
“Na pret një ndeshje të hënën, që është shumë e rëndësishme, pasi duam të qëndrojmë në krye të grupit. Nuk ka mbaruar asgjë dhe rrugëtimi ynë sapo ka nisur. Pas ndeshjes së të hënës do të shohim përpara, për t’u përmirësuar dhe për t’u përfaqësuar sa më mirë në Gjermani”, është shprehur ai.























