Duka: Nuk shkojmë në Gjermani si turistë
BKT
Sport

Duka: Nuk shkojmë në Gjermani si turistë

Kryetari i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka thënë se shqiptarët nuk do të shkojnë në Gjermani për turizëm.

Të shtunën në Hamburg të Gjermanisë është zhvilluar ceremonia e tërheqjes së shortit për Euro 2024, ku në gjashtë grupe janë ndarë njëzet e katër skuadra. Shqipëria do të luajë kundër kombëtareve të madhe si ajo e Spanjës dhe ajo e Italisë, ndërsa në të njëjtin grup është edhe Kroacia. 

"Spanja, Italia dhe Kroacia do të jenë kundërshtarët e Kombëtares sonë kuqezi në finalet e Kampionatit Europian ‘‘Gjermani 2024“. Është një grup shumë i bukur dhe i fortë njëkohësisht. Por futbolli është plot surpriza. Jam i bindur që Shqipëria do t’i luajë ndeshjet si e barabartë ndaj të tre rivalëve", ka shkruar Duka.

"Respekt për Spanjën, Italinë e Kroacinë. Por pavarësisht eksperiencës së tyre në finalet e këtj kompeticioni, ne nuk do të shkojmë si turistë në Gjermani. Do të shkojmë të luajmë futboll dhe të provojmë të gjitha mundësitë tona. Ne kemi bërë një sezon të mrekullueshëm dhe jam i bindur që Shqipëria do të bëjë një paraqitje të jashtëzakonshme edhe në Gjermani vitin e ardhshëm".

Forca Shqipëri. Je skuadra më e bukur në botë!