10 milionë euro do të investohen në stadiumin e qytetit të Tetovës
Besnik Iseni/ RTK
Që nga viti 1981, stadiumi i Tetovës nuk ka pasur as edhe një investim. Tashmë, Komuna e Tetovës ka njoftuar se do të investojë 10 milionë euro në këtë stadium.
Tetova do të bëhet me stadium modern, sipas standardeve të UEFA-s. Ky zotim vjen nga kreu i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Sipas tij, rindërtimi i stadiumit të qytetit do të realizohet brenda 36 muajve dhe do të kushtojë 10 milionë euro.
"Projekti ideor do të përgatitet duke respektuar standardet e UEFA-s për infrastrukturën e stadiumeve dhe rekomandimet për ndërtimin e objekteve të reja dhe rindërtimin e atyre ekzistuese", tha Kasami.
Nga ana tjetër, partia në pushtet Aleanca për Shqiptarët përmes një konference për medie tha se do ta mbështesë projektin, nëse i njëjti realizohet në bazë të ligjit dhe llogaridhënies së parasë publike.
"Aleanca për Shqiptarët-Tetovë do të përkrahë çdo nismë dhe iniciativë që do ta zgjidhë përfundimisht çështjen e rregullimit dhe rinovimit të Stadiumit të Qytetit, e cila iniciativë duhet të jetë në kuadër të ligjit, procedurës së rregullt të tenderimit, transparencës dhe llogaridhënies së parasë publike të qytetarëve të Tetovës", tha Bexheti.
Lajmi për rindërtimin e stadiumit të qytetit është mirëpritur nga qytetarët e Tetovës, të cilët shpresojnë që ky projekt të realizohet.
Stadiumi i qytetit në Tetovë është ndërtuar në vitin 1981 dhe prej atëherë nuk ka pasur asnjë renovim.























