Patel: Nëse Trumpi fiton do të hakmerret
VCoA
Një aleat i ish-residentit Donald Trump, i cili ka punuar në Departamentin e Drejtësisë gjatë mandatit të ish-presidentit, tha të martën se nëse Trump zgjidhet përsëri, administrata e tij do të hakmerret kundër individëve në media përmes padive kriminale ose civile.
Kash Patel, i cili ka shërbyer edhe si shef i stafit në Departamentin e Mbrojtjes dhe kishte një detyrë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, foli në podkastin e zotit Steve Bannon.
Duke folur lidhur me një fitore të mundshme nga Trump ai u shpreh se, “Ne do t’i zbulojmë konspiratorët, jo vetëm në qeveri por edhe në media” lidhur me zgjedhjet e vitit 2020, të cilat zoti Trump i humbi përballë demokratit Joe Biden.
Trump dhe aleatët e tij kanë pretenduar në mënyrë të përsëritur se zgjedhjet janë vjedhur, pavarësisht faktit se shumë zyrtarë federalë dhe lokalë, një listë e gjatë gjykatash, ish-punonjës të lartë të fushatës dhe madje edhe vetë prokurori i përgjithshëm gjatë mandatit të ish presidentit, kanë thënë se nuk ka prova lidhur me pretendimet për mashtrime.
Trump ka premtuar gjithashtu "hakmarrje" si një pjesë qendrore e mesazhit të fushatës, ndërsa kërkon një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë.
Fushata e Trump u distancua nga komentet e Patel përmes një deklarate me tone të ashpra, duke thënë se deklarata të tilla nuk kanë lidhje me fushatën. Zyrtarë të fushatës nuk iu përgjigjën pyetjeve nëse Trump po i shqyrton planet e përshkruara nga Patel.
Patel punon në Qendrën për Rinovimin e Amerikës, një institut konservator që është pjesë e një rrjeti grupesh konservatore që po përgatiten për një mandat të dytë të mundshëm të zotit Trump në Shtëpinë e Bardhë ose çdo konservatori që ndaj pikëpamjet e tyre.
Në intervistën për zotin Bannon, Patel tha se: “Ne do t’u vihemi pas individëve në media që gënjyen për qytetarët amerikanë, që ndihmuan Joe Biden-in që të manipulonte zgjedhjet presidenciale. Do të vihemi pas jush përmes padive kriminale ose civile. Po ju vëmë në dijeni të gjithëve ”.
Trump prej kohësh ka vënë në shënjestër median, duke i etiketuar rrjetet mediatike si “Lajme të Rreme” dhe “Armiq të Popullit” një frazë që lidhet me diktatorin sovjetik Josef Stalin.
Përmes një shkrimi në shtator në rrjetin e tij “Truth Social”, Trump u zotua që të hetojë kanalet televizive NBC dhe MSNBC për “tradhëti që kërcënon vendin” dhe se do të përpiqet t’u heqë licensat e transmetimit.
“E them që tani, hapur dhe me krenari, se kur të fitoj Presidencën e Shteteve të Bashkuara, ata dhe të tjerët do të hetohen tërësisht për transmetime qëllimisht të pandershme dhe të korruptuara lidhur me individët dhe ngjarjet”, shkruhej në postimin e Trump.
“Pse duhet që NBC, apo ndonjë kompani tjetër mediatike e korruptuar dhe e pandershme, të ketë të drejtë të përdorë FALAS valët ajrore të SHBA-së? Ato janë një kërcënim i vërtetë për Demokracinë dhe janë, në fakt, ARMIKU I POPULLIT! Mediat e lajmeve të rreme duhet të paguajnë një çmim të lartë për atë që i kanë bërë vendit tonë, dikur madhështor”, shkruante ai.
Në intervistë, zoti Bannon sugjeroi se zoti Patel mund të jenë një kandidat i mundshëm për të drejtuar CIA-n nëse Trump fiton një mandat tjetër. Fushata e zotit Trump nuk iu përgjigj pyetjes nëse zoti Patel po konsiderohej si kandidat i mundshëm për postin e drejtorit të CIA-s.
Patel ishte i ftuar vitin e kaluar në ceremoninë e fillimit të fushatës presidenciale të Trump në vilën e tij në Florida. Në qershor, ai mori pjesë në fjalimin e Trump në vendpushimin e tij në Bedminster pas daljes së ish-presidentit në gjykatë lidhur me akuzat federale për keqpërdorim të dokumenteve sekrete.























