Chiellini njofton pensionimin nga futbolli
Uran Krasniqi / RTKLive
Ish-mbrojtësi i Juventusit dhe Italisë, Giorgio Chiellini, ka njoftuar për pensionimin.
Tridhjetë e nëntë vjeçari ka postuar një video në Instagram me disa nga momentet më të mira të karrierës së tij.
Chiellini kaloi dy sezonet e fundit në LAFC, duke fituar një titull MLS sezonin e kaluar, ndërsa ka bërë të ditur se ndeshja e tij e fundit është ajo e Los Angeles FC ndaj Columbus Crew.
“Ke qenë rrugëtimi më i bukur dhe më intensiv i jetës sime”, ka shkruar Chiellini. “Ti ke qenë gjithçka ime. Me ty kam përshkuar një rrugë unike dhe të paharrueshme. Por tani është koha për të filluar kapituj të rinj, për të përballuar sfida të reja dhe për të shkruar faqe të tjera të rëndësishme dhe emocionuese të jetës”.
Ai e kishte filluar karrierën e tij në Livorno përpara se të transferohej te Juve në 2005. Chiellini shënoi 27 gola në 430 ndeshje të Serisë A, duke fituar nëntë tituj të Serie A me Bianconerët.
Chiellini ditë më parë ka thënë se e sheh veten duke u rikthyer te ish-klubi i Juventusit si menaxher.























