RTK fitues i trofeut të parë "Për Ty Mili"
F.B./RTKLive
(E plotësuar) Ka përfunduar me fitoren e ekipit të RTK-së ndeshja revyale kushtuar gazetarit dhe komentatorit sportivë Milaim Krasniqi, e cila u zhvillua në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
Ekipi i RTK-së shënoi fitore ndaj ekipit të RTSH-së, me rezultat 4:2.
Të pranishëm në ceremoninë e ndarjes së medaljes dhe trofeut ishin edhe drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, drejtori i Televizionit, Rilind Gërvalla, i cili edhe luajti gjatë ndeshjes dhe drejtori i Radio Kosovës, Arsim Halili.
“Jam shumë i lumtur që jam këtu në mesin tuaj. Kjo është forma më e duhur për ta kujtuar veprën e kolegut tonë Milaim Krasniqi. Kjo dëshmon se ai do të jetë gjithmonë në mesin tonë", tha Ahmetxhekaj.
Ndërkaq, drejtori i Radio Kosovës, Arsim Halili tha se fjalët janë të vogla për të përmbushur krejt kontributin që e ka dhënë Mili.
“Është kënaqësi që ju shoh bashkë. I falënderoj redaksitë e sportit të RTK-së dhe RTSH-së që e organizuan këtë aktivitet me rastin e një vjetorit të shkuarjes në amshim të kolegut tonë Milaim Krasniqi. Fjalët janë të vogla për të përmbushur krejt kontributin që e ka dhënë Mili. Ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në sportin kosovar dhe në gazetarinë sportive", theksoi Halili.
Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve Sportive të Kosovës, Edmond Thaçi falenderoi RTK dhe RTSH për mbajtjen e këtij aktiviteti sportiv kushtuar Milaim Krasniqit.
“Jam i nderuar që e përmbyllem në këtë mënyrë takimin “Për ty Mili” kushtuar Milaim Krasniqit. Faleminderit familjës Krasniqi, gjithë kolegëve nga gjitha trevat shqiptare. Faleminderit RTK dhe RTSH. Ky është vetëm hapi i parë, hapi i ardhshëm do të jetë tradicional”, ka thekusar Thaçi.
Ndërkaq, bashkëshortja e të ndjerit Milaim Krasniqit, Fitorja, falenderoj organizatorët për një event të tillë kushtuar ‘Milit’.
“Faleminderit të gjithëve që jeni këtu për të nderuar punën dhe veprën e Milaimit. Si familje jemi shumë të nderuar që jemi pjesë e përvjetorit të parë që sa do pak ta ndani dhimbjen me ne”, ka thënë bashkëshortja e ish-gazetarit Krasniqi.
Pjesë e këtij përvjetori kushtuar ikonës së gazetarisë ishin përfaqësues nga Mali i Zi dhe Ulqini.
“Për ty Mili”, nis ndeshja revyale RTK-RTSH
(E plotësuar) Me nje minutë heshtje ka nisur ndeshja revyale “Për Ty Mili”kushtuar gazetarit dhe komentatorit të njohur sportivë, Milaim Krasniqi organizuar nga RTK dhe RTSH.
Të pranishëm krahas familjes së tij janë edhe miq e kolegë të Milit nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut.
“Jam i lehtësuar që sot e realizoj një amanet. Para se të ikte nga kjo jetë vëllai im Mili më tha e di se do të ma bësh një trofe kur të shkojë nga kjo jetë. Dhe sot po e përmbushi këtë amanet. Mili nuk ishte vetëm i familjes Krasniqi po i të gjithë shqiptarisë”, tha Defrim Methasani gazetar sportiv i RTSH-së dhe mik i ngushtë i Milaim Krasniqit.
Nisjen e topit në këtë ndeshje revyale e bëri djali i vogël i Milaim Krasniqit, Reini, derisa djali i madh i ‘Milit’ po luan në ndeshjen RTK-RTSH.
Mesi i muajit dhjetor shënon një vjetorin e ndarjes nga jeta të ikonës së gazetarisë, ish-gazetarin e Radio Kosovës, e se fundmi ishte redaktor përgjegjës i programit në Radio Kosova 1.
“Për ty Mili”, ndeshje revyale mes RTK dhe RTSH-së
Mesi i muajit dhjetor shënon një vjetorin e ndarjes nga jeta të ish-gazetarit dhe komentatorit të njohur sportiv Milaim Krasniqit.
Për të përkujtuar dhe nderuar figurën e tij, sot në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, do të zhvillohet një ndeshje revyale ndërmjet gazetarëve të Radiotelevizionit të Kosovës dhe Radiotelevizionit Shqiptar, e cila nis në orën 11:00.
Kjo ndeshje revyale pritet të mbledh gazetarë të shumtë sportiv për të nderuar ish-gazetarin e Radio Kosovës, e se fundmi ishte redaktor përgjegjës i programit në Radio Kosova 1.
Kush ishte Milaim Krasniqi?
Milaim Krasniqi të cilin të gjithë e thërrisnin “Mili”, ka lindur më 1 qershor 1969 në Makoc të Prishtinës. Kishte studiuar për gazetari dhe komunikim. Punën e gazetarit të sportit e kishte nisur në gazetën "Bujku" në vitet '90, ndërsa më vonë punoi në Radion "Rilindja" dhe Radion "Kosova e lirë". Ai kishte punuar edhe në Televizionin "AA"
Ndërkaq, në vitin 2001 bëhet pjesë e Radio Kosovës, ku kishte punuar deri në ditët e fundit të jetës. Gjatë kësaj periudhe, “Mili” kishte komentuar mbi 2000 ndeshje të futbollit nga vendi i ngjarjes. Vite me radhë ishte Redaktor Përgjegjës i programit në RTK-Radio Kosovë dhe kryetar i Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës.
Gjatë karrierës së tij të gjatë Krasniqi kishte prezantuar edhe spektakle të ndryshme, ndërsa ka luajtur një rol të madh në afrimin dhe bashkëpunimin mes gazetarëve sportiv në Prishtinë dhe Tiranë, që i ndan vetëm kufiri.























