Serbia nën pushtetin e protestave/Video
BKT
Rajoni dhe Bota

Serbia nën pushtetin e protestave/Video

Anamari Repic/RTK

Në Beograd sot pati protesta masive. Mediet e atjeshme kanë raportuar se pjesëmarrja e studentëve, aktivistëve, opozitës e qytetarëve ishte aq e madhe sa mezi i shihej fundi. Kjo pasi Komisioni Republikan i Zgjedhjeve njoftoi se hodhi poshtë kërkesën e koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës”për anulimin e zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 17 dhjetor, e ku dyshohet se janë vjedhur masivisht vota nga Aleksandar Vuçiq.

Kartoni i kuq u ngrit ndaj presidentit Aleksandar Vuçiq dhe institucioneve të Serbisë, nga mijëra qytetarë në protestën e sotme në Beograd. Ata kërkuan anulimin e zgjedhjeve të mbajtura më 17 dhjetor. Qytetarët akuzojnë pushtetin për vjedhjen e zgjedhjeve duke porositur se nuk do të pranojnë ndryshimin e vullnetit elektoral.

“Jam këtu për të mbështetur të rinjtë që ngritën zërin dhe jam në anën që është e drejtë dhe në interes të fëmijëve tanë dhe brezave të ardhshëm”, tha një qytetare.

 “Unë jam këtu sepse qeveria është katastrofë dhe sepse jemi vjedhur, këtu jam për të treguar se ne nuk pranojmë”, tha një qytetar tjetër.

Në protestë u lexuan parregullsi të shumta të vërejtura nga vëzhguesit, si presione, shantazhe, ardhja e votuesve nga jashtë dhe qytete brenda Serbisë në Beograd, për të votuar në favor të partisë se Vuçiqit. Prandaj, për shkak të vjedhjeve dhe parregullsive për të cilat akuzojnë pushtetin, opozita dhe nisma joformale ProGlas kërkojnë anulimin e zgjedhjeve, dhe zgjedhje të reja brenda gjashtë muajve, pas procesit të ndryshimit të kushteve zgjedhore.

 “Këto nuk janë parë askund përveç Serbisë. Nuk kemi të drejtë të heshtim dhe të kthejmë kokën anash, ne kemi vetëm një plan dhe ai është të mbrojmë zërin e çdo personi në Serbi”, tha Mirosllav Alleksiq nga 'Serbia kundër dhunës'.

“Këto zgjedhje të padrejta na kanë rikthyer në fillimin e udhëkryqin ku ishin studentët në vitin 1991. Vetëm tani diktatura njëpartiake nuk është pas nesh por përballë nesh, por me vendosmëri dhe me zë të lartë themi se nuk jemi dakord për zgjedhje të vjedhura”, tha Predrag Ejdus, profesor nga  ProGlas.

Pas marshit protestues në rrugët kryesore, gjithçka përfundoi qetë para selisë së Gjykatës Kushtetuese, nga ku qytetarët u ftuan që deri me 13 janar të dorëzojnë të gjitha dëshmitë e vjedhjes në zgjedhje, e qe pastaj të dorëzohen në Gjykatën Kushtetuese, së bashku me kërkesën për anulimin e procedurës zgjedhore. Opozita gjithashtu ka njoftuar se po përgatit një përgjigje nëse pushteti në janar, provon të formojë parlamentin shtetëror dhe atë të qytetit të Beogradit.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota