Serbia me mundësinë e rikthimit të shërbimit ushtarak të detyrueshëm
M.P. / RTKlive
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Serbe i ka propozuar presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, rikthimin e detyrimit për të shërbyer në ushtri, me kohëzgjatje prej katër muajsh.
Sipas raportimit të medieve serbe, kjo kërkesë “vjen pas një shqyrtimi të detajuar të situatës së përgjithshme të sigurisë dhe sfidave moderne me të cilat përballet Republika e Serbisë si një vend ushtarakisht neutral, të cilat imponuan nevojën e përshtatjes së modelit të rekrutimit të Ushtrisë, çka do të mundësonte forcimin e potencialit të përgjithshëm të rekrutimit dhe trajnimin e një numri më të madh të qytetarëve për mbrojtjen e vendit tonë”.
Mundësinë e rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak e ka paralajmëruar edhe ministri i Mbrojtjes në mandatin teknik, Millosh Vuçeviq, përcjellë RTKlive.
“Të riaktivizohet ligji që përcakton shërbimin e detyrueshëm ushtarak, me propozimin e Ushtrisë Serbe dhe Ministrisë së Mbrojtjes që shërbimi ushtarak të mos jetë më i gjatë se 4 muaj. Do të jetë çështje e vlerësimit të shërbimeve kompetente, publikut të gjerë profesional dhe administratës së burimeve njerëzore, që është një periudhë e mjaftueshme për aftësimin profesional të rekrutëve”, theksoi Vuçeviq.























