Liderët e BE-së takohen në Bruksel për ndihmën financiare për Ukrainën
BKT
Foto: AP
Rajoni dhe Bota

Liderët e BE-së takohen në Bruksel për ndihmën financiare për Ukrainën

Flutura Bekqeli / RTK

Udhëheqësit evropianë po takohen në Bruksel, me shpresën për t`i dhënë fund një bllokimi rreth ndihmës financiare për Ukrainën. Vetoja për bllokim të fondeve u vu nga kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, që njihet si aleati më i ngushtë i presidentit rus.

Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban vuri veton ndaj një pakoje ndihme prej 50 miliardë eurosh për Kievin dhjetorin e kaluar. Pas këtij vendimi BE nuk aprovoi fondin prej 20 miliardë eurosh nga BE për Hungarinë për shkak të shqetësimeve rreth të drejtave të njeriut dhe korrupsionit në vend.

Thashethemet janë përhapur kohët e fundit mbi veprimet e mundshme ndëshkuese nga BE.

Udhëheqësit po bëhen të paduruar me qëndrimin e Hungarisë, e cila po pengon fondet të arrijnë në Ukrainë ndërsa afrohet përvjetori i dytë i pushtimit rus. Në samitin e fundit të BE-së në dhjetor, Orban me vështirësi e lejoi Ukrainën të merrte statusin e vendit kandidat në BE.

Marrëveshja për një pako të re ndihme kërkon miratimin unanim të 27 vendeve anëtare të BE-së, që do të thotë se Orban ka qenë në gjendje të vërë veton ndaj përpjekjeve të bllokut për të ofruar më shumë fonde për Ukrainën, ndërsa vendi vazhdon të luftojë forcat ruse.

Nuk ka pasur kurrë ndonjë mister mbi qëndrimin e tij ndaj Ukrainës. Orban, aleati më i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin në BE, ka kundërshtuar vazhdimisht sanksionet ndaj naftës dhe gazit rus.

Kryeministri polak Donald Tusk tha të martën se "në një mënyrë apo tjetër" BE-ja do të gjejë një zgjidhje për të mbështetur Ukrainën, "me ose pa Orban".

Financial Times raportoi në fillim të kësaj jave se zyrtarët e Brukselit mund të "goditin ekonominë e Hungarisë" nëse Orban vendos të bllokojë sërish pakon e mbështetjes për Ukrainën.

Disa ditë pas samitit të mëparshëm, Orban sugjeroi që vendet e BE-së mund të financojnë Ukrainën me para nga jashtë buxhetit të BE-së. Ai ka thënë që atëherë se do të ishte i hapur për të përdorur buxhetin dhe për të hequr veton mbi pakon financiare - me kusht që të mbahet një votim vjetor përpara se të lëshohet kësti i ardhshëm i ndihmës.

Udhëheqësit e BE-së, megjithatë, nuk ka gjasa të pajtohen me këtë propozim, i cili do t'i linte ata të ekspozuar ndaj një kërcënimi vjetor të vetos nga Hungaria.

Samiti po zhvillohet gjithashtu në sfondin e protestave disajavore të fermerëve që kanë prekur shumicën e vendeve të mëdha evropiane.

Fermerët po protestojnë kundër masave të zbatuara nga BE që synojnë ta bëjnë sektorin bujqësor më të qëndrueshëm dhe vendimit të bllokut për të hequr kuotat për eksportet e grurit ukrainas.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota