Ushtria ukrainase fundos edhe një anije ruse
BKT
Rajoni dhe Bota

Ushtria ukrainase fundos edhe një anije ruse

Bardhyl Bajrami /RTK

Ushtria e Ukrainës bashkë me shërbimin e inteligjencës, të njohur si GRU, pretendon se ka fundosur një anije të madhe të ushtrisë ruse në afërsi të brigjeve të Krimesë së okupuar. Ushtria ukrainase ka publikuar pamjet e sulmit me dron, ndërsa as ushtria ruse e as Kremlini nuk kanë komentuar rreth fundosjes eventuale të anijes amfibe.

Ushtria e Ukrainës ka thënë se ka goditur dhe fundosur anijen ruse të marinës Cezar Kunikov, anije kjo amfibe, jo shumë larg brigjeve të Krimesë së okupuar. Sipas medieve sociale, shpërthime të fuqishme janë dëgjuar herët të mërkurën në jug të qytetit Yalta.

Forcat e armatosura të Ukrainës, bashkë me njësitë e GUR-ës, Shërbimi i Inteligjencës Ushtarake, kanë shkatërruar anijen Caesar Kunikov, e cila ndodhej në ujërat territoriale të Ukrainës, në afërsi të Alupkas, thuhet në deklaratë.

Drejtoria për Inteligjencë e Ukrainës i ka publikuar disa pamje ku thuhet se shihen dronët detarë Magura V5 duke e goditur anijen.

Sipas GRU-së, anija mund të ketë deri 87 anëtarë ekuipazhi, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit të Rusisë për të mbijetuar ishin të pasuksesshme.

Marina ruse nuk e ka konfirmuar fundosjen eventuale të anijes në Detin e Zi, ashtu sikurse edhe Kremlini, që ka refuzuar të komentojë për këtë rast.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota