Të shtëna në Kansas City, një person i vdekur, 21 të tjerë të plagosur
BKT
Rajoni dhe Bota

Të shtëna në Kansas City, një person i vdekur, 21 të tjerë të plagosur

Flututra Bekqeli /RTK

Një person ka vdekur dhe 21 të tjerë kanë mbetur të plagosur nga të shtënat në Misuri në fund të paradës së fitores së "Super Bowl", në Kansas City.

Zyrtarët thanë se ata trajtuan tetë viktima, të cilat ishin në gjendje të menjëhershme kërcënuese për jetën dhe shtatë të tjerë që kishin pësuar lëndime, që mund të ishin kërcënuese për jetën.

Nëntë fëmijë ishin në mesin e të plagosurve - të gjithë pritet të shërohen. Policia tha se ka arrestuar tre të dyshuar në lidhje me të shtënat.

Në një konferencë shtypi të mërkurën, shefi i policisë së qytetit të Kansas-it, tha se gjithsej 22 persona u goditën nga të shtënat me armë zjarri, njëri prej të cilëve është i vdekur dhe tre individë u arrestuan.

Më shumë se 800 policë ishin në vendngjarje për të monitoruar paradën. Viktimat e mbijetuara u transportuan në tre spitale lokale, thanë zyrtarët, ndërsa rastet në rrezik për jetën u dërguan në spital brenda 10 minutave, nga të shtënat.

Nëntë fëmijë të moshës gjashtë deri në 15 vjeç, me plagë me armë zjarri po trajtohen në spital.

Spitalet lokale thanë se po trajtonin gjithashtu njerëz që nuk u qëlluan, por që kishin pësuar lëndime të tjera në rrëmujën e papritur që pasoi pas të shtënave.

Zyrtarët e qytetit nuk kanë dhënë emrat e asnjë prej viktimave. Ata gjithashtu nuk ndanë asnjë informacion në lidhje me të dyshuarit që u arrestuan, duke përfshirë atë që mund të kishte çuar në të shtënat. Shefi i policisë tha se motivi i të shtënave nuk ishte ende i qartë.

Sipas burimeve, rasti nuk kishte lidhje me terrorizmin.

Raportet lokale thanë se lojtarët e ‘Kansas City Chiefs’ ishin ende në një skenë atje kur u dëgjuan të shtënat e para.

Të shtënat me armë bënë që turma, përfshirë kryetarin e bashkisë së qytetit dhe anëtarët e familjes së tij, të vrapojnë për t'u mbrojtur.

Policia tha se po hetonte një motiv dhe po mblidhte prova.

Të shtëna me armë shpërthyen, ndërsa qyteti festonte fitoren e Kansas City Chiefs në ngjarjen më të madhe sportive të Amerikës.

 


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota