Izraeli i lëshon ultimatum Hamasit për lirimin e pengjeve izraelite
Dardan Ramabaja /RTK
Izraeli ka paralajmëruar për herë të parë se kur mund të ndërhyjnë trupat e tij në qytetin jugor të mbipopulluar Rafah, gjë që po kundërshtohet gjerësisht.
Anëtari i kabinetit izraelit të Luftës, Benny Gantz, ka paralajmëruar se nëse Hamasi nuk liron të gjithë pengjet e mbajtura në Gaza deri më 10 mars, një ofensivë do të nisë në Rafah.
Ish-ministri i mbrojtjes tha se "bota duhet ta dijë, dhe udhëheqësit e Hamasit duhet ta dinë – nëse deri në Ramazan pengjet tanë nuk janë në shtëpi, luftimet do të vazhdojnë kudo, duke përfshirë zonën e Rafas".
Gantz shtoi se Izraeli do të veprojë në "mënyrë të koordinuar, duke lehtësuar evakuimin e civilëve në dialog me partnerët amerikanë dhe egjiptianë për të minimizuar viktimat civile".
Ndërsa kundërshtia globale po rritet ndaj një sulmi të tillë në Rafah, ku janë strehuar rreth 1.5 milionë palestinezë.
Më herët, Agjencia e Shëndetit Publik të OKB-së tha se një spital kyç i Gazës kishte pushuar së funksionuari pas një sulmi izraelit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi se nuk ishte lejuar të hynte në spitalin Nasser në Khan Yunis, në veri të qytetit, për të vlerësuar situatën.
Forcat zzraelite hynë në kompleks të enjten, duke thënë se inteligjenca tregoi se pengjet e marra nga Hamasi po mbaheshin atje.
IDF e ka përshkruar operacionin e saj në Nasser si "të saktë dhe të kufizuar", duke akuzuar Hamasin se "përdor në mënyrë cinike spitalet për terror".
Kabineti izraelit i luftës përbëhet nga zyrtarë të lartë të sigurisë së vendit. Ai u formua disa ditë pasi persona të armatosur të udhëhequr nga Hamasi sulmuan Izraelin më 7 tetor, duke vrarë të paktën 1200 njerëz dhe duke marrë peng 253. Hamasi ende mban rreth 130 pengje në Gaza, vlerëson Izraeli.























