Baerbock: Bota do ta mbajë përgjegjës Putinin gjatë G20-ës
RTKlive
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka deklaruar se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të mbahet përgjegjës për luftë në Ukrainë dhe për pasojat globale që i ka shkaktuar ajo.
“Nëse Putini mendon se pas dy vjetëve bota do të harrojë se kush është përgjegjës për luftën në Ukrainë dhe pasojat e saj globale, e ka shumë gabim. Ne nuk do të heqim dorë nga parimet themelore të Kombeve të Bashkuara dhe do ta mbështesim fuqishëm Ukrainën, sa të jetë e nevojshme dhe derisa populli i saj mund të jetojë në paqe dhe në liri përsëri”, ka deklaruar Baerbock para se të nisej për takimin e ministrave të Jashtëm të G20-ës në Brazil, shkrujanë mediat ndërkombëtare.
Rusia e nisi pushtimin e paprovokuar dhe të jashtëligjshëm të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Ukraina, lufta në Rripin e Gazës dhe kërcënimi i zgjerimit të konfliktit në Lindjen e Mesme pritet të luajnë rol të rëndësishëm gjatë takimit të G20-ës.























