Shkon në mbi 30 mijë numri i të vrarëve palestinezë në Gazë
VOA
Ministria e Shëndetësisë në Gazë, që kontrollohet nga Hamasi tha se si pasojë e sulmeve izraelite të enjten u vranë 100 persona dhe u plagosën 270 të tjerë. Sulmi ndodhi në qytetin e Gazës, ku palestinezët ishin mbledhur për të marrë ndihmë humanitare.
Ushtria izraelite tha se po merrte informacion mbi ngjarjen.
Ndërkohë, forcat e mbrojtjes izraelite njoftuan se kryen operacione tokësore në veri të Gazës, si dhe sulme ajrore në qytetin Khan Younis.
Ministria e Shëndetësisë tha më herët se numri i palestinezëve të vrarë si pasojë e sulmeve izraelite ka arritur në të paktën 30, 035 dhe 70,457 janë plagosur.
Shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut Volket Turk tha në Gjenevë se të gjitha palët në konfliktin Izrael-Hamas kanë kryer krime lufte.
“Është koha për paqe, hetim dhe llogaridhënie”, tha ai.
Zoti Turk shprehu shqetësim edhe mbi planet izraelite për ofensivë në Rafah, një zonë në jug të Gazës, ku besohet se jetojnë rreth 1.5 milionë palestinezë, që janë zhvendosur nga zonat e tjera të konfliktit.
Zyrtarë izraelitë kanë përmendur planet për evakuim të civilëve në Rafah, por nuk kanë dhënë detaje se ku do të mund të zhvendosen palestinezët. Egjipti, në kufi me Rafahun, ka deklaruar se nuk do t’i hapë kufijtë.
Izraeli nisi operacionin për eliminimin e Hamasit, pas sulmit të 7 tetorit nga grupi militant, që sipas autoriteteve izraelite shkaktoi vdekjen e 1200 personave.
SHBA, Britania dhe BE e kanë shpallur Hamasin organizatë terroriste.
Kombet e Bashkuara thanë të mërkurën se ata që po përpiqen të shpërndajnë apo të marrin ndihmë humanitare në Rripin e Gazës po përballen me sfida që vënë në rrezik jetën e tyre.























