Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshon urdhër-arreste për dy komandantë rusë
Luan Qorraj /RTK
Gjykata Ndërkombëtare ka lëshuar urdhërarrest për gjeneralë të lartë rusë, të cilët akuzohen për krime lufte në Ukrainë. Ndërkohë, njoftohet se forcat ukrainase arritën të fundosin edhe një anije ruse në Detin e Zi.
Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar urdhër-arreste për dy gjeneralë të lartë Rus, Sergei Kobylash dhe Viktor Sokolov të cilët akuzohen për krime lufte në Ukrainë. Sipas gjykatës, dy gjeneralët janë përgjegjës për sulmet raketore kundër strukturës energjetike të Ukrainës dhe infrastrukturës civile.
Gjenerali Kobylash ka qenë udhëheqës i forcave ajrore përderisa Sokolov admiral i marinës- besohet se forcat e tyre, nën urdhra direkte prej dyshes, kryen një numër të madh të sulmeve kundër caqeve jo-ushtarake në pjesë të ndryshme të Ukrainës.
Ndërkohë, është bërë e ditur se forcat Ukrainas kanë arritur të fundosin edhe një anije ruse në detin e zi. Sipas raporteve, anija e fundosur është Sergei Kotov, anije patrulluese me peshë prej 1 300 tonelatave e cila u godit nga disa barka të telekomanduara , të njohura edhe si dronë të ujit.
Me këtë Ukraina ka arritur të fundosë më shumë se një të tretën e tërë flotës ruse të detit të zi, duke paralizuar gati tërësisht operacionet e marinës së Rusisë në këtë det.























