Zvicër, pesë persona u gjetën të vdekur
Përgatiti: M.Miftari/RTKlive
Helikopterët po vazhdojnë kërkimet në një zonë pranë malit Matterhorn në Zvicër, për të gjetur një skiator të zhdukur, pasi pesë anëtarë të tjerë të grupit u gjetën të vdekur për shkak të kushteve "katastrofike".
Siç njoftojnë mediet botërore, pesë anëtarë të së njëjtës familje, nga kantoni Valais, u zhdukën rreth malit ‘Tête Blanche’, të shtunën në shtegun Zermatt-Arolla, transmeton RTKlive.
Autoritetet nuk kanë dhënë shkakun e vdekjes për pesë personat e gjetur vonë të dielën, por kanë përshkruar kushtet "katastrofike" me ortekë, stuhi dëbore dhe temperatura ekstreme.
"Prioriteti ynë është të gjejmë personin e gjashtë," u tha gazetarëve në një konferencë shtypi, të hënën, Christian Varone, shefi i policisë kantonale.
"Për sa kohë që ka shpresë, ne do të bëjmë gjithçka mundemi, por duhet të jemi realistë për kushtet që ka jetuar ai person gjatë 48 orëve të fundit", shtoi ai.
Bëhet e ditur se më shumë se 10 helikopterë ishin pjesë e një operacioni kërkim-shpëtimi gjatë fundjavës.























